Donald Trump, në gjyq penal më 25 mars, i pari në histori për një ish-president amerikan
2024-02-18 12:10:06

Foto RTSH

Një gjyqtare në Nju Jork refuzoi kërkesën e Donald Trumpit për të hedhur poshtë aktakuzën kundër tij në lidhje me pagimin e një aktoreje të filmave për të rritur për të heshtur, duke i hapur rrugën gjykimit penal të një ish-presidenti amerikan për herë të parë në histori, shkruan “RTSH”.

Gjyqtarja caktoi 25 marsin si datë për fillimin e gjyqit, i cili është njëri nga katër rastet penale me të cilat po përballet Trump, në një kohë kur ai është duke luftuar për t’u nominuar kandidat për president nga republikanët për të sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e 5 nëntorit. 

Trump i ka mohuar akuzat. Secila prej tyre dënohet me deri në katër vjet burgim, megjithëse nuk është e qartë nëse Trump do të dënohej me burgim.

Trump kërkoi rrëzimin e aktakuzës 34-faqeshe, ku ai akuzohet se kishte falsifikuar regjistrat e biznesit për të mbuluar një pagesë 130.000 dollarë për Stormy Daniels, para zgjedhjeve të vitit 2016. Por, gjyqtarja hodhi poshtë menjëherë kërkesën e tij dhe konfirmoi 25 marsin si datë të fillimit të gjyqit ndaj tij.

Ndaj Trumpit janë ngritur edhe tri aktakuza, në të cilat ai akuzohet në Xhorxhia dhe Uashington se u përpoq të zhbënte humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, si dhe në Florida për mbajtjen e jashtëligjshme të dokumenteve të klasifikuara. (Irma)