Turistët kinezë në krye të listës së vizitorëve në Muzeun “Gjergj Kastrioti Sënderbeu” në Krujë që nga janari
2024-02-16 11:44:26

CMG: Në një intervistë për mediat shqiptare keni thënë se duke filluar nga janari i këtij viti ka një rritje të numrit të turistëve aziatikë në përgjithësi dhe kinezë në veçanti, që kanë vizituar këtë muze. Cila është ecuria e numrit të turistëve kinezë në muze para pandemisë dhe aktualisht?

Mehdi Hafizi:Para pandemisë kemi patur vizitorë kinezë. Ata kryesisht kanë kryer ture ballkanike, duke patur parasysh që vendet e Ballkanit janë afër njeri-tjetrit dhe kanë patur mundësi që në disa ditë të shohin disa vende. Këto ture kanë qenë nga Stambolli në Shqipëri dhe nga Beogradi në Shqipëri. Gjatë periudhës së pandemisë numri i turistëve u kufizua shumë dhe nuk patëm në muze grupe turistike nga Kina. Ndërsa ky vit shënoi një rritje të numrit të vizitorëve kinezë në grupe, ndonëse ka edhe turistë individualë.  Nga fillimi i vitit kemi patur vizitorë individualë nga Europa në muze, por me grupe  më së shumti janë turistë kinezë. Këtë vit trendi i turistëve është në rritje dhe turoperatorët janë shumë optimistë për një numër më të madh në të ardhmen të vizitorëve nga Kina në vendin tonë.

CMG: Nuk mund të vish turist në Shqipëri dhe të mos vizitosh Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. A ka një ndryshim të trendit të turistëve në muze, nga ata individualë, apo vizita të delegacioneve, në grupe turistike?

Mehdi Hafizi: Ky është muzeu më i vizituar në Shqipëri dhe mjaft i dashur për shqiptarët. 50 për qind janë vizitorë të huaj në muze. Ne po shohim gjithnjë e më shumë një rritje të numrit të vizitorëve dhe nuk i kemi parë kurrë si të rastësishëm. Kam një shprehje që “do të kemi shumë vizitorë sivjet sepse kemi punuar shumë mirë vjet”. Na ka favorizuar fakti se kemi dy muze kombëtarë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Kombëtar Etnografik. Po ashtu dhe afërsia me kryeqytetin dhe aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, por dhe me Durrësin, apo me kufirin me Malin e Zi.

Trendin në rritje e kemi parë si pozitiv, por pa lënë mënjanë gatishmërinë maksimale për t’i pritur me kulturë vizitorët, për t’i shoqëruar në mënyrë profesionale . Është kënaqësi kur shohim këtë produkt të asaj që kemi investuar. Sivjet është rritur numri i turistëve individualë dhe për këtë ndoshta kanë ndikuar linjat e lira të avionëve.

CMG: Një faktor që ka ndikuar në rritjen e numrit të turistëve kinezë në Shqipëri duhet të jetë dhe heqja e vizave. Turistët kinezë kanë një karakteristikë sepse krahasuar me turistët e tjerë parapëlqejnë të vizitojnë monumentet historike dhe kulturore apo arkeologjike. Ata nuk janë turistët tipikë që duan të frekuentojnë plazhet, pra të jenë turistë sezonalë, por janë gjithëvjetorë. Ju keni deklaruar se në janar ka filluar ky fluks e vërteton këtë

Mehdi Hafizi: Para 20 ditëve patëm në muze rreth 30 turoperatorë nga vende të ndryshme të Kinës. Dihet që ardhja paraprake e turoperatorëve lidhet me sugjerimet që ata bëjnë për agjencitë turistike. Këta turoperatorë u shprehën se turistët kinezë janë të interesuar për të vizituar muzetë, parqet arkeologjike, ndaj dhe janë të organizuar në turizmin kulturor. Ne kjo gjë na intereson shumë.

Kam parë që turistët kinezë largohen me përshtypje shumë të mira nga muzeu ynnë. Ne kemi dhe filmin “Skënderbeu” që transmetohet në muze dhe turistët janë të interesuar. Gjithashtu kemi në muze dhe një botim për Skënderbeun në gjuhën kineze dhe kur ia tregojmë vizitorëve nga Kina ata entuziasmohen.

CMG: Çfarë ofron ky muze dhe Muzeu Kombëtar Etnografik për një turist?

Mehdi Hafizi: Ky muze është specifik sepse është konceptuar si një memorial ku fjala luan rolin kryesor dhe gjithë kohën është përmirësuar në përmbajtje. Ana funksionale e muzeut është e mirëmenduar dhe pëlqehet në aspektin didaktik sepse kemi shumë nxënës shkollash vizitorë të muzeut. Madje turistët e huaj kur shohin nxënësit në muze mbeten shumë të kënaqur.

Figura e Skënderbeut ka një dimension gjithnjë në rritje sepse është i dyti person në botë, pas Napolon Bonapartit, për të cilin janë shkruar më shumë vepra, jo vetëm në gjuhët e Europës por dhe përtej, siç përmenda në gjuhën kineze. Monumenti i Skënderbeut ndodhet në disa prej qyteteve të Europës dhe emrin e tij e mbajnë disa nga sheshet e qyteteve kryesore europiane. Është një figurë me një dimension të lartë dhe kjo tërheq vëmendjen e vizitorëve për ta vizituar.

Mënyra se si janë vendosur objektet e artit, punimet e hekurit, drurit dhe gurit janë kryer me shumë kujdes dhe tërheqin vemendjen. Muzeu është i organizuar e pavijone, si Salla e Bashkimit dhe Përballimit dhe të tjera. Skënderbeu se një vend të veçantë në historinë botërore të shekullit të 15-të si mbrojtës i qytetërimit europian nga pushtimi otoman.

CMG: Muzeu ofron guidë për turistët apo ai vizitohet me sistemin audio?

Mehdi Hafizi: Kemi guida që punojnë gjithë kohën në muze si dhe monitorë ku ka informacion në gjuhën angleze, por dhe në audio. Roli i guidës është i rëndësishëm sepse sjell drejtpërdrejtë informacionin dhe ka emocion. Gjithë kohën jemi treguar të kujdesshëm që të presim grupet e turistëve që vijnë të shoqëruar me guidat përkatëse

CMG: Sa i përket turistëve kinezë, keni dijeni cili është itinerari i vizitës së tyre në Shqipëri?

Mehdi Hafizi: Kur vijnë nga Rinasi ata vizitojnë Durrësin dhe më pas shkojnë në Tiranë. Pastaj vizitojnë Krujën për të vijuar në Shkodër nga ku kalojnë në Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Beograd, nga ku udhëtojnë drejt Kinës. Agjencitë turistike që i koordinojnë këto lëvizje mendoj që kanë bërë gjënë e duhur sepse kur pyes turoperatorët a janë të kënaqur turistët ata përgjigjen pozitivisht.

CMG: Muzeu Kombëtar Etnografik është pjesë e vizitës?

Mehdi Hafizi: Muzeu Etnografik do të hapet shumë shpejt, besoj këtë sezon sepse ka qenë në rikonstruksion dhe dua të theksoj se në këtë muze kemi patur informacione turistike në gjuhën kineze, që është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Kinës në Shqipëri. Këtë informacion vizitori e merrte në dorë dhe e lexonte gjatë vizitës.

Muzeu Etnografik, një banesë e vitit 1764 është mjaft interesant dhe konsiderohet si muzeu entografik më i mirë në Ballkan, me objekte 50-500 vjeçare, mjaft i pëlqyer nga turistët.

CMG: Nëse do të bëjmë një listë, cilat janë tre vendet e para nga vijnë turistët vizitorë të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”?

Mehdi Hafizi: Për këtë vit në vendin e parë deri në këtë periudhë që flasim e mbajnë vizitorët kinezë. Vitin që kaloi kemi patur shumë vizitorë nga Polonia, italianë, shumë spanjollë, amerikanë, francezë por dhe nga Amerika e Jugut.

CMG: Ju vetë keni patur rast të vizitoni Kinën?

Mehdi Hafizi: Kam qenë dhe është një eksperiencë shumë e bukur. Kam qenë në vitin 2018 për një javë në Kinë dhe jam mrekulluar, falë ndihmës së Ambasadës së Kinës që më mundësoi pjesëmarrjen në një seminar të trajnimit të intelektualëve. Kam përshtypje nga kjo vizitë që nuk do t’i harroj kurrë.

CMG: Keni vizituar Pekinin?

Mehdi Hafizi: Po kam vizituar Pekinin ku kemi zhvilluar seminarin dhe kemi parë mjaft vende me interes sa i takonn zhvillimit ekonomik. Shpresoj që numri i turistëve kinezë do të vijë duke u rritur.

CMG: Edhe mediatikisht Shqipëria në aspektin e turizmit ka zenë faqet e para të mediave kryesore botërore.

Mehdi Hafizi: Turistët kinezë do të jenë të mirëpritur në këtë muze. Sa herë i shoh ndjehem i emocionuar sepse kam një histori personale, që kur isha fëmijë nëna ime ka punuar në ndërtimin e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë ku punon dhe teknikë nga Kina. Kam qenë fëmijë kur vinin disa zonja kineze në shtëpinë time në Fushë-Krujë dhe i ruaj me kujdes ato kujtime të fëmijërisë.