Krerët më të lartë të Shqipërisë takuan në Tiranë kryediplomatin amerikan, Blinken
2024-02-16 14:43:05

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.

Presidenti Bajram Begaj e cilësoi një vizitë shumë të rëndësishme që dëshmon se partneriteti strategjik mes dy vendeve është më i fortë se kurrë.

Sipas presidentit Begaj, kjo vizitë është një mesazh i qartë në mbështetje të shqiptarëve, politikës së jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE.

“Ne jemi mirënjohës për atë që po bëni për Shqipërinë dhe rajonin. Shqipëria është e përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë së bashku me SHBA-në dhe NATO-n për sigurinë rajonale dhe globale”,- deklaroi presidenti Begaj.

foto: VCG

foto: VCG

Blinken u prit edhe nga kryeministri Edi Rama. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, kryeministri Rama tha se në këtë kohë të trazuar për Europën dhe jo vetëm, vizita e kryediplomatit amerikan është një shenjë e rëndësishme e miqësisë dhe vlerësimit, shkruajnë mediet shqiptare.

“Kjo është një vizitë me një rëndësi të veçantë të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shenjë e rëndësishme e miqësisë dhe vlerësimi që i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe këtij rajoni”, tha Rama.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi në konferencë se partneriteti me Shqipërinë është më i fortë se kurrë.

“Është një rrugë me dy kalime dhe po bëjmë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin. Si alet kyç i NATO-s, zë i rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kemi partneritet të rëndësishëm. Kemi patur mundësinë të diskutojmë për sfidat që po përballemi, për të nxitur sigurinë”,- deklaroi kryediplomati amerikan.

foto: VCG

foto: VCG

Sekretari Blinken u prit edhe nga ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. “Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë”,- deklaroi kryediplomati shqiptar në një postim në platformën “X”.

Hasani dhe Blinken nënshkruan edhe dy memorandume mirëkuptimi, për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright” dhe atë kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj.

Gjatë ditës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua edhe me kreun e SPAK, Altin Dumani, dhe me përfaqësuesit e tjerë të drejtësisë.