Forcat e Armatosura irakiane kërkojnë largimin e misionit amerikan
2024-02-10 13:30:40

Foto nga VCG

 

Forcat e Armatosura të Irakut njoftuan se janë të detyruara t’i japin fund misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak, duke përmendur sulmin me dron në një automjet në Bagdad, që vrau një prej komandantëve të lartë të milicisë pro-iraniane, Kataib Hezbollah, shkruan “RTSH”.

“Kjo trajektore e detyron qeverinë irakiane më shumë se kurrë të përfundojë misionin e këtij koalicioni, i cili është kthyer në një faktor për destabilitet dhe kërcënon të ngatërrojë Irakun në ciklin e konfliktit. Forcat tona të Armatosura nuk mund të neglizhojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre kushtetuese”, thuhet në deklaratë.

Forcat e Armatosura të Irakut bënë të ditur se forcat amerikane kryen një atentat përmes një sulmi ajror në një lagje të banuar në kryeqytetin irakian, duke mos treguar asnjë respekt për jetën e civilëve apo ligjet ndërkombëtare.

“Me këtë akt, forcat amerikane rrezikojnë paqen, shkelin sovranitetin e Irakut dhe shpërfillin sigurinë dhe jetën e qytetarëve tanë. Akoma më shqetësuese është se koalicioni devijon vazhdimisht nga arsyet dhe objektivat e pranisë së tij në territorin tonë”,- thuhet në deklaratë.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, sulmi ushtarak amerikan në Bagdad vrau një komandant të Kataib Hezbollah, i cili ishte përgjegjës për sulmet ndaj forcave amerikane në rajon.

Sulmi erdhi pasi SHBA-ja po planifikonte sulme hakmarrëse kundër militantëve të mbështetur nga Irani, të cilët nisën një sulm me dron në një postë të SHBA-së në Jordani muajin e kaluar që vrau tre ushtarë amerikanë.

SHBA-ja ka fajësuar për atë sulm grupin ombrellë të milicive në Irak, të mbështetur nga Irani, të quajtur Rezistenca Islamike. (Irma)