Përfaqësuesit e vendeve të BE-së miratojnë marrëveshjen e reformës së azilit
2024-02-10 10:56:19

Foto nga VCG

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së i dhanë dritën jeshile një marrëveshjeje për të forcuar ligjet e bllokut për azilin dhe emigracionin, të arritur vitin e kaluar.

Sipas sistemit të ri, shpërndarja e emigrantëve që kërkojnë mbrojtje mes 27 vendeve anëtare të bllokut po riorganizohet sipas një grupi të ri rregullash i quajtur mekanizmi i solidaritetit, shkruan “ATSH”.

Nëse një vend i BE-së nuk dëshiron të pranojë refugjatë, atyre u kërkohet të ofrojnë mbështetje në një formë tjetër, për shembull përmes kompensimit financiar.

Rishikimi i regjimit të emigracionit të Bashkimit Evropian ka qenë objekt i një pune intensive dhe i një debati të ashpër që nga viti 2015 kur një numër rekord i emigrantëve mbërritën në vendet e BE-së.

Marrëveshja mbulon një grup kompleks projektreformash ligjore që synojnë të reduktojnë emigracionin e paligjshëm në BE, si dhe përpunon rregullat për përgjegjësitë e shteteve anëtare ndaj emigrantëve që mbërrijnë në kufijtë e tyre dhe kërkojnë azil.

Megjithatë, marrëveshja ka ende nevojë për miratimin përfundimtar të ministrave dhe ligjvënësve të BE-së për ta zbatuar atë në ligj. (Irma)