Komisioni Zgjedhor në Rusi refuzon kandidaturën e rivalit të Putinit në zgjedhjet presidenciale
2024-02-10 11:18:44

Foto nga VCG

Komisioni Zgjedhor i Rusisë ka refuzuar kandidaturën e rivalit të Vladimir Putinit, që ka dalë kundër konfliktit me Ukrainën, Boris Nadezhdin, për në zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm, shkruan “RTSH”.

Autoritetet zgjedhore pretenduan se më shumë se 15% e nënshkrimeve që ai dorëzoi me aplikimin e tij për kandidat ishin me probleme. Ai ishte përpjekur ta kundërshtonte, por komisioni e refuzoi ofertën e tij.

Nadezhdin shkroi në mediat sociale se do ta kundërshtonte vendimin në Gjykatën e Lartë të Rusisë.

Komisioni i Zgjedhjeve njoftoi se nga 105 mijë nënshkrimet e dorëzuara nga Nadezhdin, më shumë se 9 mijë, ishin të pavlefshme, duke përmendur një sërë shkeljesh. “Ka dhjetëra miliona njerëz që do të votonin për mua”, u ankua Nadezhdin në komision, duke thënë se sipas të gjitha sondazheve, ai ishte në vendin e dytë pas Vladimir Putinit.

“Vendimi është marrë. Nëse Nadezhdin dëshiron, ai mund të shkojë në gjykatë”,- deklaroi kryetarja e komisionit, Ella Pamfilova, citon agjencia e lajmeve “Tass”.

Zgjedhjet presidenciale në Rusi do të mbahen nga 15-17 mars. (Irma)