Bashkimi Evropian miraton misionin ushtarak në Detin e Kuq
2024-02-10 11:06:57

Foto nga VCG

Vendet anëtare të BE-së kanë miratuar planet për të ngritur një mision ushtarak për të mbrojtur transportin tregtar në Detin e Kuq nga sulmet e rebelëve Houthi, konfirmuan diplomatët e bllokut, citon “ATSH”.

Misioni përfshin vendosjen e anijeve luftarake evropiane dhe sistemeve ajrore të paralajmërimit të hershëm për të mbrojtur anijet e ngarkesave në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe ujërat përreth.

Selia operative e misionit “Operacioni Aspides” është në qytetin grek të Larisës.

Një vendim përfundimtar zyrtar për vendosjen e misionit do të merret gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, në Bruksel më 19 shkurt.

Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje politike për të nisur misionin muajin e kaluar.

Që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas, rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë sulmuar në mënyrë të përsëritur anijet me një lidhje të supozuar izraelite në Detin e Kuq, duke detyruar kompanitë e mëdha të anijeve të shmangin këtë rrugë kryesore tregtare Evropë-Azi përmes Kanalit të Suezit.

Rebelët Houthi thanë se po qëllojnë anijet për të imponuar një armëpushim me Izraelin në Gaza.

Si përgjigje, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe aleatët e tjerë perëndimorë nisën sulmet ajrore në disa pozicione të rebelëve Houthi në Jemen, duke përshkallëzuar tensionet tashmë të larta në Lindjen e Mesme dhe duke rritur spektrin e një konflikti më të gjerë rajonal. (Irma)