Blinken: Sulmet e 7 tetorit të Hamasit s’i japin Izraelit të drejtën për të kryer krime çnjerëzore
2024-02-09 11:57:16

Blinken (Foto RTSH)

Blinken (Foto RTSH)

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se sulmet e 7 tetorit s’i japin Izraelit të drejtën për të kryer krime çnjerëzore. 

“Sulmet e 7 tetorit s’mund të jenë licencë për t’i trajtuar në mënyrë çnjerëzore të tjerët”,- deklaroi kryediplomati amerikan në një konferencë shtypi në Tel Aviv, citon “RTSH”.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë fshehur pakënaqësinë e tyre me Izraelin për numrin e viktimave civile në Rripin e Gazës dhe për situatën humanitare atje gjatë luftës, por kritika e Blinken, i cili po zhvillon një tjetër tur në Lindjen e Mesme për të gjetur një zgjidhje për konfliktin, ishte më e ashpra deri më tani, bëjnë të ditur mediet izraelite.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se kishte urdhëruar trupat të përgatiteshin për të operuar në qytet dhe se fitorja e plotë ndaj Hamasit ishte vetëm disa muaj larg, duke rrëzuar kështu mundësinë e diskutimeve për arritjen e një armëpushimi.

Blinken u tha gazetarëve në Tel Aviv se kundërpropozimi i Hamasit të paktën ofronte një mundësi për të ndjekur negociatat. Me gjithë përkushtimin e kryeministrit izraelit për të vazhduar me bombardimet, kryediplomati amerikan tha se ai ende shihte hapësirë për arritjen e marrëveshjes.

Që nga fillimi i luftimeve, në Gaza kanë humbur jetën rreth 27 mijë palestinezë, disa mijëra besohet të jenë ende të pagjetur nën rrënojat e ndërtesave dhe të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë më shumë se 60 mijë. (Elona)