Polonia ndërton fortifikime të reja në zonën kufitare me Bjellorusinë
2024-02-08 11:11:10

Foto nga VCG

Polonia po ndërton fortifikime të reja në zonën kufitare me Bjellorusinë dhe Rusinë. Ministria e Mbrojtjes nuk dha informacion të detajuar, por një burim ministror tha për gazetën “Rzeczpospolita” se masa ishte pjesë e planit të përgjithshëm të mbrojtjes kombëtare, shkruan “ATSH”.

Ministria bëri të ditur se po punohet për zgjerimin e mëtejshëm të fortifikimeve inxhinierike, duke përfshirë një sistem strehimi dhe përmirësimin e tyre në zonën kufitare.

“Situata s’është optimale. Supozohet çdo skenar, edhe në rastin më të keq. Duhet të jeni të përgatitur për çdo gjë, prandaj po bëjmë një auditim, po nxjerrim konkluzione dhe po plotësojmë boshllëqet, për shembull në rastin e armëve”,- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz.

Ai theksoi se blerjet e mëdha, edhe për pajisjet individuale të ushtarëve, janë shumë të rëndësishme.

“Qëkur morëm pushtetin, ne kemi lidhur kontrata për blerjen e pajisjeve me vlerë 19 miliardë PLN (mbi 4 miliardë dollarë), shumica e të cilave në fabrikat polake të armëve”, theksoi ai. (Irma)