Shefi i Lidhjes Arabe: Përfundimi i rolit të UNRWA-s rrezikon rajonin
2024-02-08 16:01:48

Gaza - UNRWA (Foto China Daily)

Gaza - UNRWA (Foto China Daily)

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe (AL) kritikoi pezullimin e fondeve të disa vendeve për agjencinë e ndihmës së OKB-së për palestinezët, duke e cilësuar si të rrezikshme.

Ahmed Aboul Gheit tha se ndalimi i rolit të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) jo vetëm që ndikon seriozisht te palestinezët, por gjithashtu rrezikon sigurinë dhe stabilitetin rajonal, shkruan “Xinhua”.

Ai tha se këto lëvizje do t'i shërbenin, sipas tij, qëllimit të Izraelit për të hequr qafe agjencinë e OKB-së që shërben si një ofrues kryesor i shërbimeve thelbësore për refugjatët palestinezë me bazë në Gaza.

Aboul Gheit vlerësoi vendimet e vendeve duke përfshirë Spanjën dhe Portugalinë për të rritur fondet dhe vendet që vazhdojnë të financojnë agjencinë e ndihmës.

Më 27 janar, gjashtë vende evropiane, duke përfshirë Britaninë, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Zvicrën dhe Finlandën, iu bashkuan Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Kanadasë në ndalimin e fondeve për UNRWA-në, pasi Izraeli akuzoi disa punonjës të agjencisë së OKB-së për përfshirje në sulmin e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023. (Irma)