Izrael, ministri i Jashtëm francez bën presion për armëpushim
2024-02-07 16:26:08

Ministri i ri i Jashtëm i Francës me kryeministrin izraelit (Foto RTSH)

Ministri i ri i Jashtëm i Francës me kryeministrin izraelit / foto nga CFP

Ministri i ri i Jashtëm i Francës shfrytëzoi vizitën e tij të parë në Izrael për t'i kërkuar qeverisë që të lejojë një armëpushim të menjëhershëm dhe një fluks masiv të ndihmave humanitare në Gaza.

Ministri i Jashtëm, Stéphane Séjourné, i cili u bë kryediplomati francez muajin e kaluar, u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Jeruzalem gjatë udhëtimit të tij.

Në një konferencë shtypi, Séjourné tha se ishte roli i Francës si një mik për t'u thënë liderëve izraelitë disa të vërteta që ata mund të kenë vështirësi t'i dëgjojnë, citon “RTSH”.

“Prej katër muajsh, populli i Gazës po jeton nën bomba dhe një rrethim pothuajse të plotë. Ata po privohen nga ndihma minimale që u nevojitet për të trajtuar plagët e tyre, për t'u mbrojtur nga epidemitë dhe për të ushqyer veten”,- tha ai.

Séjourné theksoi se Franca mbështet fuqimisht të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten pas sulmit të orkestruar nga Hamasi në Izraelin jugor që shkaktoi luftën në Gaza. Në të njëjtën kohë, ai e quajti vdekjen dhe shkatërrimin në territorin palestinez një tragjedi.

“Tragjedia në Gaza duhet të marrë fund. Ne bëjmë thirrje që ligji ndërkombëtar humanitar të respektohet nga të gjithë dhe për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm dhe një fluks masiv të ndihmave humanitare”,- tha ai.

Séjourné gjithashtu bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjitha pengjeve të mbetura të mbajtura nga Hamasi në Gaza. 

“Tre shtetas francezë besohet të jenë mes tyre”,- tha kryediplomati francez. (Elona)