Turqia neutralizoi 11 militantë kurdë në veri të Sirisë
2024-02-06 13:05:40

Foto nga VCG

Forcat turke të sigurisë neutralizuan 11 anëtarë të Njësive të Mbrojtjes së Popullit kurdë sirian (YPG) në veri të Sirisë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes, citon “Xinhua”.

Në një deklaratë të ministrisë thuhet se anëtarët e këtij grupi u vunë në shënjestër gjatë planifikimit të një sulmi ndaj ushtarëve turq në disa zona në veri të Sirisë, duke theksuar se do të vijojnë t'i përgjigjen në mënyrë të ngjashme sulmeve terroriste.

Ushtria turke nisi operacionin “Mburoja e Eufratit” në vitin 2016, operacionin “Dega e Ullirit” në vitin 2018, operacionin “Burimi i Paqes” në vitin 2019 dhe operacioni “Mburoja pranverore” në vitin 2020 në veri të Sirisë për të krijuar një zonë pa YPG përgjatë kufirit me vendin fqinj.

Turqia e sheh grupin YPG si degën siriane të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, është rebeluar kundër qeverisë turke për më shumë se tre dekada. (Irma)