BE vendos sanksione të reja ndaj Rusisë
2024-02-06 16:52:18

Sanksionet (Foto Oranews)

Sanksionet (Foto Oranews)

Bashkimi Evropian pritet të vendosë një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, në prag të përvjetorit të dytë të konfliktit me Ukrainën, njofton “ATSH”.

Sanksionet do të zgjerohen ndjeshëm duke përfshirë më shumë njerëz dhe organizata, pasuritë e të cilëve në BE do të bllokohen.

Po ashtu, sanksioneve do t’i nënshtrohen edhe kompanitë që kontribuojnë në zhvillimin ushtarak dhe teknologjik të Rusisë, ose në avancimin e sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë.

BE-ja nuk do të lejohet më të shesë mallra dhe teknologji me lidhje ushtarake me Rusinë.

Propozime konkrete për atë që tani është paketa e 13-të e sanksioneve iu paraqitën gjatë fundjavës përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së nga zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian.

Hapi tjetër do të jetë hartimi i një rezolute për sanksionet, e cila më pas do të duhet të miratohet zyrtarisht nga të 27 vendet e BE-së.

Sipas sanksioneve të propozuara, mund të preken më shumë se 200 njerëz dhe kompani. (Fatosi)