Kryediplomati amerikan zhvillon udhëtimin e pestë në Lindjen e Mesme mes krizës në rajon
2024-02-05 20:25:07

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të marrë pjesë sërish në bisedimet e krizës në Lindjen e Mesme, shkruan “ATSH”.

Ai do të vizitojë Arabinë Saudite, Egjiptin, Katarin, Izraelin dhe Bregun Perëndimor deri më 8 shkurt, njoftoi zëdhënësi i sekretarit, Matthew Miller.

Udhëtimi i pestë i Blinken në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës së Gazës pothuajse katër muaj më parë, pason sulmin gjithëpërfshirës ushtarak amerikan ndaj objektivave në Irak dhe Siri.

Ky ishte reagimi i SHBA-së ndaj sulmit vdekjeprurës nga milicitë pro-iraniane ndaj ushtarëve amerikanë në Jordani më 28 janar.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar tashmë veprime të mëtejshme ushtarake, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan një konflikt të ri në Lindjen e Mesme.

Blinken po ashtu do të vazhdojë të punojë për të parandaluar përhapjen e konfliktit. Ai do të vazhdojë bisedimet për arritjen e një zgjidhjeje paqësore në rajon që do të ofronte siguri të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët.  (Fatosi)