Sulmet e SHBA-së në Irak dhe Siri, Rusia thërret mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
2024-02-05 11:54:21

Foto nga VCG

Rusia kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me sulmet e SHBA-së ndaj grupeve të milicisë të mbështetur nga Irani me bazë në Irak dhe Siri, njofton “RTSH”.

“Ne kërkuam një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për kërcënimin ndaj paqes dhe sigurisë të krijuar nga sulmet e SHBA-së në Siri dhe Irak”,- shkroi në mediat sociale diplomati rus në OKB, Dmitry Polyansky.

Rusia, e cila është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, është bërë një aleat i ngushtë i Iranit.

Sipas qeverisë ukrainase dhe agjencive perëndimore të Inteligjencës, Rusia ka përdorur drone të prodhuar nga Irani që nga shkurti i vitit 2022, kur nisi konflikti me Ukrainën. (Fatosi)