Eurostat: Inflacioni i Eurozonës pati ulje të lehtë në 2.8 për qind në janar
2024-02-03 12:11:10

Inflacioni ne Eurozone (Foto Wibstbroker)

Zyra Statistikore e BE-së, Eurostat, bëri të ditur se inflacioni vjetor në Eurozonë shënoi një rënie të lehtë në janar, duke zbritur në 2.8 për qind nga 2.9 për qind në dhjetor.

Sipas vlerësimit të Eurostat-it, përcjellë nga “Xinhua”, inflacioni në Eurozonë është ende i prirë nga çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit, të cilat shënuan një inflacion vjetor prej 5.7 për qind në janar, nga 6.1 për qind në dhjetor.

Çmimi i shërbimeve mbeti i qëndrueshëm në 4 për qind në janar, ndërsa ai i mallrave industriale joenergjetike regjistroi një inflacion prej 2 për qind, krahasuar me 2.5 për qind në dhjetor. Inflacioni i energjisë ishte ende negativ, në -6.3 për qind në baza vjetore në janar, krahasuar me -6.7 për qind një muaj më parë.

Inflacioni bazë u ul gjithashtu nga 3.4 për qind në dhjetor në 3.3 për qind në janar, tha Peter Vanden Houte, kryeekonomist për Belgjikën, Luksemburgun dhe Eurozonën në ING. Megjithatë, sipas tij, është shumë herët për të shpallur fitoren në betejën e inflacionit.

Rreziqet për prirjen aktuale rënëse të inflacionit përfshijnë heqjen graduale të masave të mbështetjes së energjisë, rritjen e çmimeve të transportit për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe marrëveshjet më të larta të pagave që ndikojnë në çmimet e shitjes, sipas Vanden Houte. Ai parashikoi një ulje të normës nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) jo më shpejt se qershori dhe me vetëm 25 pikë bazë. BQE-ja ripohoi vendosmërinë e saj për të rikthyer inflacionin në 2 për qind në kohën e duhur dhe theksoi se normat e politikës do të vendosen në nivele mjaft kufizuese për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, deklaroi në një konferencë shtypi javën e kaluar se politika monetare kufizuese e miratuar nga banka do të mbetet e paprekur për ca kohë. (Irma)