Gjermania shënoi rritje të papunësisë në janar
2024-02-01 12:05:02

Gjermani (Foto RTSH)

Numri i të papunëve në Gjermani regjistroi rritje në janar krahasuar me muajin e mëparshëm dhe me janarin e vitit 2023, sipas shifrave paraprake të qeverisë, citon “ATSH”.

“Shkalla e papunësisë u rrit me 0.4 pikë përqindjeje në 6.1%”,- njoftoi Agjencia Federale e Punësimit në Gjermani, bazuar në të dhënat deri më 15 janar. Papunësia zakonisht rritet sezonalisht në janar, megjithëse sipas shifrave paraprake numri i të papunëve këtë vit është 189.000 më i lartë se në janar të një viti më parë.

Numri i vendeve të lira të punës regjistroi një rënie gjithashtu, duke treguar se kërkesa për punë për të papunët mund të bëhet më e vështirë.

Agjencia raportoi 699.000 vende të lira pune këtë muaj, që është 66.000 më pak se në janar të vitit 2023. (Elona)