Hamasi: Lirojmë pengjet nëse Izraeli i jep fund luftës
2024-01-31 16:11:28

Pengjet e Hamasit (Foto ATSH)

Një ditë pas Samitit të Parisit midis Katarit, Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hamasi zbut pritshmëritë për një armëpushim afatgjatë në Gaza. “Suksesi i takimit të Parisit varet nga pranimi i Izraelit për t’i dhënë fund agresionit në Rripin e Gazës”,- theksoi Sami Abu Zuhri, një zyrtar i lartë i Hamasit.

Grupi gjithashtu bëri të ditur se lirimi i plotë i pengjeve do të bëhet vetëm nëse Izraeli liron mijëra palestinezët e mbajtur në burgjet izraelite, shkruan “ATSH”.

Negociatorët nga Izraeli, SHBA-ja, Egjipti dhe Katari ranë dakord në Paris për një kornizë për një marrëveshje të re për pengjet. Marrëveshja do të përfshinte lirimin e pengjeve të mbetura në faza, duke filluar me gratë dhe fëmijët, të shoqëruar me pauza graduale në luftime dhe dërgimin e ndihmave në Gaza, së bashku me shkëmbimin e të burgosurve palestinezë.

Kuadri i diskutuar, për të cilin palët kanë arritur marrëveshje të përgjithshme, parashikon një pauzë 30-ditore që do të çonte në lirimin e grave, fëmijëve dhe të moshuarve të mbajtur peng.

Gjatë kësaj faze, do të pasonin diskutimet për një fazë të dytë 30-ditore.  (Elona)