Ushtria ruse rrit numrin e sulmeve
2024-01-29 12:14:34

Foto RTSH

Ushtria ruse ka shtuar përpjekjet e saj për të marrë kontrollin e qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës ditët e fundit, njoftoi ushtria ukrainase, citon “RTSH”.

“Forcat pushtuese kanë rritur ndjeshëm numrin e sulmeve për të dytën ditë radhazi, armiku ka kryer 50 operacione luftarake”, deklaroi gjeneral brigade ukrainas Oleksandr Tarnavskyi në “Telegram”.

Tarnavskyi, i cili është përgjegjës për pjesën jugore dhe juglindore të Ukrainës, tha se numri i sulmeve ajrore është rritur gjithashtu.

Shifrat e cituara nga Tarnavskyi me sa duket i referohen pjesës jugore të rajonit të Donetskut.

Ai përmendi në mënyrë eksplicite sulmet kundër qyteteve Myrnohrad dhe Novohrodiivka, të cilat ndodhen afër frontit, dhe u goditën me raketa të konvertuara të mbrojtjes ajrore një ditë më parë.

Rusia nisi një ofensivë të re në këtë zonë në vjeshtën e vitit 2023 për të pushtuar qytetin Avdivka, që kufizohet drejtpërdrejt me qytetin e madh të Donetskut dhe kontrollohet nga forcat ruse që nga viti 2014. (Fatosi)