Studimi: Nivelet e ujërave nëntokësore po bien me shpejtësi në mbarë botën
2024-01-28 16:07:54

Ujerat nentokesore (Foto Rtsh)

Ujerat nentokesore (Foto Rtsh)

Shumë pjesë të botës po përjetojnë një shterim të shpejtë të rezervave nëntokësore të ujit në të cilat mbështeten miliarda njerëz për të pirë, ujitur dhe përdorime të tjera, sipas një studimi të ri që analizoi miliona matje të nivelit të ujërave nëntokësore nga 170.000 puse në më shumë se 40 vende, përcjell “RTSH”.

Ky është studimi i parë mbi atë që po ndodh me nivelet e ujërave nëntokësore në një shkallë globale, sipas studiuesve të përfshirë, dhe do t'i ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë se çfarë ndikimi kanë njerëzit në këtë burim të vlefshëm nëntokësor.

Uji nëntokësor, i përmbajtur brenda çarjeve dhe poreve në trupat e depërtueshëm të shkëmbinjve të njohur si akuiferë, është një mjet shpëtimi për njerëzit veçanërisht në pjesë të botës ku reshjet dhe ujërat sipërfaqësore janë të pakta, të tilla si India Veriperëndimore dhe jugperëndimi i SHBA-së.

Reduktimet në ujërat nëntokësore mund ta bëjnë më të vështirë për njerëzit qasjen në ujërat e ëmbla për të pirë, ose për të vaditur të mbjellat dhe mund të rezultojë në rrëshqitje të tokës.

Ekipi nuk ishte në gjendje të mblidhte të dhëna nga pjesa më e madhe e Afrikës, Amerika e Jugut dhe Azia juglindore për shkak të mungesës së monitorimit, por Jasechko tha se studimi përfshinte vendet ku kryhet pompimi më i madh global i ujërave nëntokësore.

Studimi theksoi gjithashtu disa histori suksesi në Bangkok, Arizona dhe New Mexico, ku ujërat nëntokësore kanë filluar të rikuperohen pas ndërhyrjeve për të rregulluar më mirë përdorimin e ujit ose për të ridrejtuar ujin për të rimbushur akuiferët e varfëruar.

Për të kuptuar nëse rëniet e vërejtura në shekullin e 21-të po përshpejtoheshin, ekipi gjithashtu aksesoi të dhënat për nivelet e ujërave nëntokësore për 542 akuiferë.

Ata zbuluan se rënia e niveleve të ujërave nëntokësore u përshpejtua në dy dekadat e para të shekullit të 21-të për 30% të këtyre akuiferëve, duke tejkaluar rëniet e regjistruara midis viteve 1980 dhe 2000. (Irma)