Akuzat e Rusisë për rrëzimin e avionit ushtarak rus, presidenti ukrainas kërkon hetim ndërkombëtar
2024-01-26 15:37:16

CFP

CFP

CFP

CFP

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kërkoi një hetim ndërkombëtar, pasi Rusia akuzoi Ukrainën për rrëzimin e një avioni ushtarak rus, që, sipas tyre, kishte 65 ushtarë ukrainas të kapur gjatë luftës, të cilët po transportoheshin për shkëmbim, shkruan “Panorama”.

Avioni u rrëzua në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën.

Rrëzimin e aeroplanit transportues ushtarak, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti akt monstruoz. Rusia ende nuk ka treguar ndonjë provë se ai u rrëzua nga një raketë ukrainase, apo që ushtarët ukrainas ishin në bord.

Presidenti Zelensky tha se duhet të vërtetohen të gjitha faktet dhe se Ukraina do të insistojë për një hetim ndërkombëtar.

Zyrtarët ukrainas thanë se shkëmbimi i të burgosurve ishte planifikuar të bëhej më 24 janar dhe Rusia nuk e kishte informuar Ukrainën se të burgosurit ukrainas do të fluturonin me avionë mallrash.

Drejtoria kryesore e Inteligjencës së Ukrainës bëri të ditur se nuk ka informacion të besueshëm dhe gjithëpërfshirës se kush ishte në bordin e avionit, por tha se të burgosurit rusë për të cilët ishte përgjegjës u dorëzuan në kohë në pikën e shkëmbimit të kushtëzuar, ku ata ishin të sigurt.

CFP

CFP

Rusia akuzoi Ukrainën se e rrëzoi qëllimisht avionin transportues ushtarak Ilyushin Il-76, duke bërë të dirur se radari rus regjistroi lëshimin e dy raketave nga rajoni i Harkivit i Ukrainës, i cili kufizohet me rajonin Belgorod.

Në një deklaratë të Inteligjencës ushtarake ukrainase, në “Facebook”, thuhet se Ukrainës nuk i ishte kërkuar të garantonte sigurinë e hapësirës ajrore rreth zonës së Belgorodit, siç ishte rasti gjatë shkëmbimeve të mëparshme të të burgosurve të luftës.

Zyrtarët rusë thanë se avioni mbante 65 ushtarë ukrainas, gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre shoqërues. (Irma)