Turqia pro Suedisë në NATO, presidenti amerikan kërkon nga Kongresi të miratojë shitjen e avionëve F-16 për Turqinë
2024-01-26 15:41:57

Avion i Nato-s (Foto Panorama)

Avion i Nato-s (Foto Panorama)

Presidenti amerikan, Joe Biden, u dërgoi një letër drejtuesve të komisioneve kryesore të Kongresit, duke kërkuar nisjen e procesit zyrtar të njoftimit për shitjen ndaj Turqisë të avionëve F-16 të kompanisë “Lockheed Martin”, sapo Turqia të përfundojë procesin e pranimit të Suedisë në NATO, shkruan “Panorama”.

Në letrën drejtuar anëtarëve më të lartë republikanë dhe demokratë të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, presidenti Biden i kërkon Kongresit të miratojë shitjen pa vonesë, tha një zyrtar amerikan.

Të mërkurën, Shtëpia e Bardhë u dërgoi një letër anëtarëve të Kongresit duke kërkuar miratimin e shitjes prej 20 miliardë dollarësh të avionëve F-16 dhe pjesëve të këmbimit në Turqi, thanë për agjencinë e lajmeve “Reuters” katër persona në dijeni të letrës.

Parlamenti i Turqisë ratifikoi kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke hequr pas 20 muajsh vonesë një pengesë të madhe për zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore.

Departamenti amerikan i Shtetit i kërkoi Turqisë të finalizojë zyrtarisht ratifikimin e Suedisë në NATO. Për ta bërë këtë, Presidenti Erdogan duhet të nënshkruajë legjislacionin, i cili më pas botohet në Gazetën Zyrtare të Turqisë. Instrumenti i anëtarësimit për Suedinë duhet të dërgohet gjithashtu në SHBA.

Departamenti i Shtetit refuzoi të jepte një afat kohor të saktë mbi procesin zyrtar të njoftimit për shitjen e avionëve F-16.

Turqia në tetor 2021 kërkoi të blinte avionë F-16 me vlerë 20 miliardë dollarë dhe gati 80 njësi me paisje për modernizimin e avionëve të saj ekzistues luftarakë.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për të hyrë në NATO pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt 2022. Ndërsa anëtarësimi i Finlandës përfundoi vitin e kaluar, kërkesa e Suedisë ishte penguar nga Turqia dhe Hungaria. (Irma)