Instituti gjerman ul parashikimin për ekonominë vendase për vitin 2024
2024-01-26 14:59:12

Gjermania (Foto Hawarnews)

Gjermania (Foto Hawarnews)

Instituti për Kërkime Ekonomike “Ifo” uli parashikimin për vitin 2024 për ekonominë gjermane, duke pritur që produkti i brendshëm bruto (PBB) i vendit të rritet me vetëm 0.7 për qind në vend të 0.9 për qind të parashikuar muajin e kaluar, shkruan “Xinhua”.

Sipas “Ifo”, rregullimi në rënie u bazua në masat shtrënguese të zbatuara nga Bundestagu në rezolutën e buxhetit javën e kaluar.

Qeverisë gjermane iu desh të shkurtonte shpenzimet si rezultat i rishpërndarjes së dështuar të fondeve të ndihmës për Covid-19 për masat klimaterike.

Shkurtimet e shpenzimeve qeveritare do të shtohen në rreth 19 miliardë euro (20.7 miliardë dollarë amerikanë) këtë vit.

“Kompanitë dhe familjet do të mbajnë një barrë më të madhe ose do të marrin më pak lehtësim dhe shpenzimet e qeverisë do të shkurtohen”,- tha eksperti i “Ifo”-s, Timo Wollmershaeuser.

Për të ruajtur transformimin e gjelbër të Gjermanisë, pavarësisht kursimeve, qeveria u fokusua në industri dhe sektorë që janë të dëmshëm për klimën. Shkurtimet e planifikuara të subvencioneve në sektorin bujqësor ndezën protestat e fermerëve në të gjithë vendin për javë të tëra. As një koncesion nga qeveria me një ndryshim të pjesshëm të shkurtimeve nuk mjaftoi për të ndalur protestat.

Masat shtrënguese po prekin drejtpërdrejt edhe konsumatorët gjermanë, të cilët tashmë janë të rënduar nga inflacioni i lartë vazhdimisht. Taksa për biletat e linjës ajrore u rrit dhe çmimi i CO2-shit për karburantin, gazin natyror dhe vajin për ngrohje u rrit nga 30 në 45 euro.

Gjermania ra në recesion në vitin 2023, me një tkurrje prej 0.3 për qind, sipas vlerësimeve fillestare të Zyrës Federale të Statistikave (Destatis).

Me normalizimin e ngadaltë të inflacionit, aktiviteti ekonomik u zbut nga konsumi privat dhe publik, si dhe nga kërkesa e dobët për eksport.

Ekonomia më e madhe e Evropës nuk e vazhdoi rimëkëmbjen e saj nga rënia e mprehtë ekonomike e përjetuar në vitin pandemik të 2020-s, tha presidentja e Destatis, Ruth Brand, duke përmbledhur zhvillimin e vitit të kaluar. (Irma)