Rusia: Avioni me të burgosur ukrainas u rrëzua nga Ukraina
2024-01-26 15:26:37

Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi Ukrainën se goditi me dy raketa aeroplanin transportues ushtarak Il-76, duke vrarë të gjithë 74 personat në bord.

“Regjimi i Ukrainës kreu një akt terrorist, si rezultat i të cilit u rrëzua një avion transporti ushtarak rus”,- njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë, duke shtuar se të gjithë pasagjerët në bord u vranë, shkruan “Xinhua”.

CFP

CFP

Sipas deklaratës, avioni u godit gjatë rrugës nga aeroporti “Chkalovsky” në Belgorod, ndërsa po transportonte personelin ushtarak ukrainas për një shkëmbim të të burgosurve.

“Forcat e Armatosura ukrainase shkatërruan aeroplanin duke përdorur një sistem raketash kundërajrore”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se pajisjet e radarëve rusë zbuluan lëshimin e dy raketave ukrainase.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Ukraina e dinte që të burgosurit e saj do të transportoheshin në Belgorod për një shkëmbim bazuar në një marrëveshje të arritur më parë midis dy palëve.

“Lëvizja e Ukrainës ishte një përpjekje për të fajësuar Rusinë për vdekjen e personelit ushtarak ukrainas në bord”,- thuhet në deklaratën ruse.

Andriy Yusov, zëdhënës i Inteligjencës ushtarake të Ukrainës, deklaroi se pala ukrainase po kontrollon raportet nëse robërit ukrainas ishin në bordin e avionit Il-76. Ai theksoi se shkëmbimi i të burgosurve me Rusinë ishte anuluar, sipas një raporti të “Ukrayinska Pravda”.

Agjencia e lajmeve “Interfax-Ukraine” raportoi më herët se avioni rus Il-76 u rrëzua menjëherë pas ngritjes, duke cituar një burim të lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës. (Irma)