BE-ja formon Aleancën Portuale për të luftuar trafikun e drogës
2024-01-26 14:51:25

Port ne BE (Foto Msn)

Port ne BE (Foto Msn)

Komisioni Evropian startoi Partneritetin Publik Privat të Aleancës Evropiane të Porteve, që synon të bashkojë të gjithë palët e interesuara për të mbrojtur portet nga trafiku i drogës dhe infiltrimi kriminal.

Aleanca u ngrit në bashkëpunim me Presidencën belge të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), shtetet anëtare, autoritetet portuale, shoqatat evropiane, agjencitë e BE-së kundër krimit, doganat dhe autoritetet e zbatimit të ligjit, shkruan “Xinhua”.

“Shumica e drogave të paligjshme në BE trafikohen përgjatë rrugës detare dhe 70 për qind e kapjeve të drogës janë në portet e BE-së. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi midis autoriteteve kombëtare, të BE-së dhe porteve të BE-së është jetik”,- deklaroi Ylva Johansson, eurokomisionerja për Çështjet e Brendshme.

KE-ja bëri të ditur se aleanca u krijua kundër një sfondi të rrjeteve kriminale që përdorin dhunë ekstreme, korrupsion dhe frikësim në kërkimin e tyre për fitime.

Sipas KE-së, konfiskimet e kokainës në BE janë në nivele rekord, me më shumë se 300 tonë të sekuestruara çdo vit në vitet e fundit.

Vetëm në Belgjikë, autoritetet kapën një rekord prej 121 tonë kokainë në Portin e Antwerp-Bruges në vitin 2023, një rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Shifrat e BE-së tregojnë se portet kontribuojnë në 75 për qind të vëllimeve të tregtisë së jashtme të BE-së dhe 31 për qind të vëllimeve të tregtisë së brendshme të BE-së, duke i bërë ato të prekshme ndaj kontrabandës dhe shfrytëzimit të drogës nga rrjetet kriminale me rrezik të lartë. (Irma)