Gjermani – Nis greva më e gjatë në historinë e hekurudhave
2024-01-25 14:58:48

Foto ATSH

Drejtuesit e trenave në Gjermani filluan të mërkurën grevën më të gjatë ndonjëherë, në një mosmarrëveshje në rritje me operatorin “Deutsche Bahn” mbi pagat dhe kushtet e punës.

Sindikata gjermane e drejtuesve të trenave njoftoi se greva do të vazhdojë deri të hënën në orën 18:00.

Operatori kombëtar hekurudhor njoftoi se shërbimet hekurudhore në distanca të gjata, rajonale dhe periferike do të ndikohen masivisht.

Operatori këshilloi udhëtarët që të kontrollojnë linjat e tyre 24 orë para udhëtimit, ta shtyjnë udhëtimin nëse është e mundur dhe të përdorin biletën e tyre në një datë të mëvonshme.

“Deutsche Bahn” i bëri thirrje gjithashtu sindikatës që të kthehet në tryezën e bisedimeve.

Sindikata po insiston për një rritje të pagës prej 555 euro në muaj si dhe një kompensim të njëhershëm prej 3000 euro për shkak të inflacionit.

Sindikata kërkon gjithashtu uljen e orarit të punës për punëtorët me turne, nga 38 në 35 orë në javë dhe pa ulje page. (Elona)