Rrëzohet avioni në Kanada, humbin jetën 6 persona
2024-01-25 15:58:06

Gjashtë persona humbën jetën tragjikisht të martën në një zonë të largët të Kanadasë veriore, pas rrëzimit të avionit të vogël me të cilin po udhëtonin. 

Gjiganti anglo-australian i minierave “Rio Tinto” njoftoi se një aeroplan i nisur për në minierën e diamanteve Diavik që transportonte anëtarë të stafit u rrëzua, duke rezultuar në disa të vdekur, përcjell “Panorama”.

Kontakti me aeroplanin e “Northwestern Air” humbi pak pasi u ngrit pranë Fort Smith, në veriperëndim të Kanadasë, sipas qendrës së koordinimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit të zonës.

Shtatë persona ishin në bord, njëri prej të cilëve mbijetoi, sipas burimit të “AFP”-së. Gjendja e tij është e paqartë në këtë fazë.

Ekipet e shpëtimit u detyruan të shkonin në vendin e rrëzimit me motor dëbore pasi u hodhën nga helikopterët. (Elona)