Termocentrali bërthamor në Egjipt, Putin dhe Al-Sisi inaugurojnë hapjen e një njësie të re
2024-01-25 15:13:15

Termocentrali bërthamor në Egjipt (Foto RTSH)

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij egjiptian, Abdel Fattah Al-Sisi, kanë inauguruar përmes një lidhjeje video ndërtimin e njësisë së katërt dhe të fundit të termocentralit bërthamor Dambaa në Egjipt.

Zhvillimi vjen ndërsa Rusia po avancon ambiciet e saj bërthamore në nivel global, bën të ditur “RTSH”. 

“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona vazhdon dhe zhvillohet. Egjipti është miku ynë i ngushtë dhe partner strategjik”,- tha Putin.

Ndërsa, Al Sisi tha se futja e energjisë bërthamore në përzierjen e energjisë është e rëndësishme për të përmbushur kërkesën në rritje për energji elektrike.  Termocentrali, që po ndërtohet nga “Rosatom”, kompania shtetërore ruse, do të ketë katër reaktorë dhe një kapacitet total prej 4.8 gigavat dhe kushton 30 miliardë dollarë. 

Me një popullsi 105 milionë banorë dhe në përballje me kërkesën në rritje për energji elektrike, Egjipti po kërkon të bëhet një qendër rajonale e energjisë që do të eksportojë në vendet fqinje ndërsa diversifikon burimet e energjisë.

Egjipti ka zhvilluar një tepricë të kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike, megjithatë gjatë verës, për shkak të valave të zgjatura të të nxehtit, është përballur me ndërprerje të energjisë për shkak të rritjes së kërkesës për ftohje. (Elona)