BE-ja bie dakord për operacionin ushtarak në Detin e Kuq
2024-01-24 17:03:31

Foto ATSH

Vendet e Bashkimit Europian kanë arritur një marrëveshje në parim për të nisur një operacion ushtarak për të siguruar transportin tregtar në Detin e Kuq, njoftoi kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, pas një takimi të ministrave të Jashtëm në Bruksel.

Sipas diplomatëve, misioni duhet të fillojë në mënyrë ideale muajin e ardhshëm dhe t’u japë fund sulmeve nga militantët islamikë Houthi nga Jemeni, bën të ditur “ATSH”.

Milicia e mbështetur nga Irani kërkon që t’u japë fund sulmeve izraelite në Rripin e Gazës duke qëlluar mbi anije.

Sipas planeve aktuale, misioni i BE-së do të përfshijë vendosjen e anijeve luftarake europiane dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm ajror për të mbrojtur anijet e ngarkesave në rajon, por nuk ka plane për të marrë pjesë në sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj pozicioneve të Houthit në Jemen.

Sipas burimeve qeveritare, Gjermania synon të marrë pjesë në operacionin ushtarak me anijen ushtarake moderne “Hessen”, me kusht që Dhoma e Ulët e Parlamentit, Bundestagu, të lëshojë një mandat përkatës pasi të jenë finalizuar planet e BE-së. (Elona)