Raketat e Hamasit shembin 2 ndërtesa, vriten 21 ushtarë izraelitë
2024-01-24 15:02:35

CFP

Ushtare izraeliite/CFP

Njëzet e një ushtarë izraelitë u vranë ditën e hënë në një sulm me raketa në Gaza, duke shënuar kështu humbjen më të madhe për trupat izraelitë që nga nisja e luftës me Hamasin në muajin tetor 2023, bën të ditur “RTSH”.

Zëdhënësi i ushtrisë, admirali Daniel Hagari, bëri me dije se ushtarët u vranë teksa një raketë e Hamasit shkaktoi shembjen e dy ndërtesave pasi goditi eksplozivët e vendosur nga ushtria izraelite.

“Ndërtesat u shembën si pasojë e këtij shpërthimi, ndërsa shumica e ushtarëve ishin brenda dhe përreth ndërtesave. Ndërtesat ka të ngjarë të kenë shpërthyer nga municionet që forcat tona vendosën atje për të hedhur në erë infrastrukturën terroriste në zonë”,- tha zëdhënësi.

Ndërkohë, SHBA-të i bënë thirrje Izraelit që të mbrojë njerëzit e pafajshëm në spitale pasi forcat izraelite rrethuan të hënën tre komplekse të kujdesit shëndetësor në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.

“SHBA-ja pret që Izraeli të mbrohet në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të mbrojë sa më shumë që të jetë e mundur njerëzit e pafajshëm në spitale, stafin mjekësor dhe pacientët”,- tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Numri i madh i të vdekurve mund t'i shtojë një vrull të ri thirrjeve që Izraeli të ndalojë ofensivën apo edhe ta ndalojë atë krejtësisht. Një numër i madh i viktimave izraelite kanë bërë presion mbi qeverinë izraelite për të ndalur operacionet e kaluara ushtarake. (Elona)