Rusi - Një projektligj i ri parashikon sekuestrimin e pronës për këdo që diskrediton ushtrinë
2024-01-24 14:25:18

Deputetët rusë paraqitën një projektligj në Dhomën e Ulët të Parlamentit të vendit (Duma), që parashikon sekuestrimin e pronave të atyre që diskreditojnë ushtrinë, shkruan “ATSH”.

Në një deklaratë të publikuar nga Duma thuhet se projektligji ishte përpiluar nga deputetë të shumtë të Parlamentit, duke përfshirë Vyacheslav Volodin, kreun e Dumës.

Më herët, Volodin shkroi në “Telegram” se projektligji lejon konfiskimin e parave, sendeve me vlerë ose pasurive të tjera të përdorura ose të destinuara për të financuar aktivitete kriminale kundër sigurisë së Rusisë.

Ai shtoi se konfiskimi i pronës do të jetë i mundur në raste si përhapja e informacionit të rremë për Forcat e Armatosura Ruse, si dhe thirrjet publike për aktivitete ekstremiste dhe veprime që synojnë shkeljen e integritetit të Rusisë dhe diskreditimin e ushtrisë së saj.

“Kushdo që përpiqet të shkatërrojë Rusinë, ta tradhtojë atë, duhet të vuajë një dënim të merituar dhe të kompensojë dëmin e shkaktuar vendit”,- paralajmëroi ai. (Elona)