Sllovakia kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në NATO
2024-01-23 11:27:58

Kryeministri sllovak (Foto Telegrafi)

Kryeministri sllovak (Foto Telegrafi)

Sllovakia kundërshton pranimin e Ukrainës në NATO dhe është e përgatitur të vërë veton ndaj anëtarësimit të vendit nëse është e nevojshme, deklaroi kryeministri Robert Fico për radion publike “RTVS”, citon “ATSH”.

Fico tha se do të udhëtonte në Ukrainë të mërkurën për të takuar homologun e tij Denys Shmyhal për bisedime në qytetin kufitar të Uzhhorod.

“Gjatë vizitës, do të paraqesë një paketë të mëtejshme të ndihmës për Ukrainën dhe do të bëjë të qarta qëndrimet sllovake që ndryshojnë nga dëshirat e Ukrainës. Unë do ta njoftoj se ne do të bllokojmë dhe do të vëmë veton ndaj pranimit të Ukrainës në NATO, sepse nuk do të ishte gjë tjetër veçse baza për një Luftë të Tretë Botërore”,- tha Fico.

Sllovakia, e cila është anëtare e NATO-s që nga viti 2004, prej kohësh ka qënë një nga mbështetëset më të vendosura të Ukrainës në fushatën e saj mbrojtëse kundër pushtimit rus në shkallë të plotë të nisur në shkurt 2022. Megjithatë, kur qeveria nacionaliste e majtë e Ficos mori pushtetin tetorin e kaluar, ajo vendosi mos të furnizonte më Ukrainën me armë.

Fico tha se Sllovakia ishte në favor të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, për sa kohë që vendi përmbushte të njëjtat kushte si kandidatët e tjerë. (Fatosi)