BE-ja parashtron strategjinë për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme
2024-01-23 10:37:25

Kryediplomati evropian (Foto Atsh)

Kryediplomati evropian (Foto Atsh)

Shefi për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, dëshiron që një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e Lindjes së Mesme të bëhet prioriteti i bllokut me një plan të propozuar përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Unë mendoj se ne duhet të ndalojmë së foluri për paqen, për procesin e paqes dhe të fillojmë të flasim më konkretisht për procesin e zgjidhjes me dy shtete”, tha Borrell, shkruan “ATSH”.

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza pas sulmeve terroriste të 7 tetorit, me potencialin për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, në zemër të tij.

Sipas një diplomati të lartë nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së, shërbimi diplomatik i bllokut, ky propozim do të shoqërohet në të njëjtën kohë me garanci sigurie për Izraelin.

“Një kornizë politike për popullin palestinez mund të ndikojë gjithashtu në luftën aktuale midis islamistëve Hamas dhe Izraelit. Qëllimi duhet të jetë që Izraeli të jetë në gjendje të mbajë marrëdhënie krejtësisht normale me vendet arabe”,- tha Borrell. (Irma)