OBSH: Rreth 1.4 milionë jetë të shpëtuara në Evropë nga vaksinat kundër Covid-19
2024-01-22 10:21:33

Foto nga VCG

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se vaksinat kundër Covid-19 kanë shpëtuar të paktën 1.4 milionë jetë në mbarë rajonin evropian. Ndërsa stina e dimrit sjell një valë sëmundjesh të rrugëve të frymëmarrjes, zyrtarët e OBSH-së theksojnë rëndësinë e vaksinimit kundër Covid-19 dhe gripit, veçanërisht për grupmoshat e rrezikuara. Të dhënat e fundit tregojnë se disa vende të BE-së po përjetojnë një rishfaqje të rasteve me Covid-19, shkruan “Panorama”.

Pandemia Covid-19, që përfshiu Evropën nga marsi i vitit 2020, u ka marrë jetën 2 milionë njerëzve në të gjithë rajonin. Sipas OBSH-së, falë vaksinimit janë shpëtuar 1.4 milionë jetë.

Të dhënat e fundit tregojnë se disa vende të BE-së po përjetojnë një rishfaqje të rasteve të Covid-19, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për përhapjen e gripit dhe sëmundjeve të tjera të rrugëve të frymëmarrjes.

Zyrtarët e OBSH-së rekomandojnë vaksinimin kur është e mundur, mbajtjen e maskave dhe rekomandojnë ajrosjen e bollshme të mjediseve të brendshme. Tashmë, disa vende po marrin hapa parandalues. (Fatosi)