Forumi i Davosit, objektivat, agjenda dhe ndikimi në situatën ndërkombëtare
2024-01-22 10:55:55

Më shumë se gjashtëdhjetë udhëheqës botërorë, përfaqësues të të gjitha organizatave ndërkombëtare, qindra drejtues biznesi dhe aktivistë të shoqërisë civile u mblodhën në Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, që zhvilloi punimet javën e kaluar në Davos të Zvicrës. Tema e këtij edicioni ishte “Rindërtimi i besimit”. Pjesëmarrësit trajtuan një sërë sfidash globale, ndër të cilat përkeqësimi i konflikteve, ndryshimet klimatike, çeshtje që lidhen me ekonominë globale dhe inteligjencën artificiale. Kryeministri kinez Li Qiang në fjalimin e mbajtur në Forum bëri një propozim prej pesë pikash për rindërtimin e besimit, forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike globale. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës prof.dr Enver Bytyçi analizon takimin e sivjetëm të Forumit Ekonomik Botëror dhe objektivat e tij

Forumi Ekonomik Botëror i Davosit (Foto CMG)

Forumi Ekonomik Botëror i Davosit (Foto CMG)

CMG: Takimi i 54-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror, tema e të cilit është “Rindërtimi i besimit”, u ka ofruar të pranishmëve një hapësirë vendimtare për t’u fokusuar në parimet themelore që nxisin besimin, duke përfshirë transparencën, qëndrueshmërinë dhe llogaridhënien. Në qendër të takimit të Forumit Botëror Ekonomik në Davos janë diskutimet për pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë, krizën energjitike dhe një recesion të mundshëm ekonomik në botë. Si e komentoni edicionin e sivjetëm të Forumit të Davosit?

Prof.dr. Enver Bytyçi: Forumi Ekonomik Botëror i Davosit dhe Konferenca e Sigurisë e Mynihut për mua janë instrumente ndërkombëtare shumë të rëndësishme për elaborimin dhe përgatitjen e strategjive për të kapërcyer sfidat në fushën e sigurisë, që bota po kalon. Është në traditën e Forumit të Davosit shqyrtimi i këtyre sfidave vit pas viti. Këtë vit ka sfida të reja, siç është konflikti në Lindjen e Mesme dhe konflikti në Detin e Kuq ku nëpërmjet pengimit të tregtisë të anijeve tregtare mund të krijohen edhe kriza botërore. Por lidhet sërish ashtu si dhe dy vitet e shkuara me konfliktin në Ukrainë, me sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe bllokadën që është krijuar në Detin e Zi në furnizimin me drithëra, apo me lëndë të tjera ushqimore.

Kryeministri kinez Li Qiang dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen (Foto Ministria e jashtme e Kinës)

Kryeministri kinez Li Qiang dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen (Foto Ministria e jashtme e Kinës)

Të gjitha këto sfida krahas sfidave të përgjithëshme politike, siç janë zgjedhjet në Bashkimin Europian, zgjedhjet në SHBA dhe sfida të tjera ndikojnë që bota të përjetojë momente jo të këndshme. Forumi i Davosit është një nga instrumentet kryesorë të përpunimit të strategjive se si do të dilet nga këto sfida.

CMG: Ndoshta për këtë ndikon dhe fakti që në këtë forum takohen elitat dhe pavarësisht se quhet Forumi Ekonomik Botëror, ekonomia është një pjesë e çeshtjeve të trajtuara.

Prof.dr. Enver Bytyçi: Nuk mund të ketë një trajtim metafizik dhe teknik ekonomia në një anë dhe politika në një anë. Ato janë të gjitha së bashku sepse ndikojnë tek njera-tjetra. Ju thatë se në forum mmarrin pjesë 1500 personalitete të botës, përfaqësues dhe kryetarë shtetesh, nga vendet e Europës, të Amerikës Latine, nga Afrika, Azia dhe debatohet se si është situata në zona të caktuara, në vende të caktuara dhe se çfarë duhet bërë që të kapërcehen vështirësitë, pengesat, të minimizohen dështimet ose efektet e tyre dhe e gjitha kjo është në dobi të shoqërisë njerëzore. 54 vite janë një eksperiencë e jashtëzakonëshme.

Kryeministri kinez Li Qiang në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit (Foto CMG)

Kryeministri kinez Li Qiang në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit (Foto CMG)

CMG: Aq më tepër që forumi është i përvitshëm dhe në të krijohet rasti për të analizuar çeshtje të rëndësishme dhe ndoshta nuk e teproj të them se aty vendosen fatet e botës.

Prof. dr. Enver Bytyçi: Në njëfarë mënyre po. Në Konferencën e Mynihut dhe në Forumin e Davosit mendoj që pjesëmarrja është shumë e gjerë, diskutimet janë shumë konstruktive dhe shërbejnë për një lloj koordinimi, që është i domosdoshëm në një botë globale. Bëhet fjalë për një botë të ndërvarur ku ekonomia nuk mund të përkufizohet më brenda kufijve të një shteti apo edhe të një rajoni, por është e përbotshme.

CMG: Në Forum kryeministri kinez Li Qiang bëri një propozim prej pesë pikash për rindërtimin e besimit, forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike globale, e para prej të cilave është forcimi i koordinimit të politikave makroekonomike, ruajtja e vendosur e sistemit tregtar shumëpalësh dhe ndërtimi i sinergjisë më të madhe për rritjen ekonomike botërore. Komenti juaj për propozimin e Kinës

Prof. dr. Enver Bytyçi: Nëse vemë re shpërthimin e krizave në këto 20 vitet e fundit, e dime që sapo nisi kriza e bankave në SHBA ajo u shtri në Europë dhe në të gjitha vendet e botës. Ishte një krizë globale. E njejta gjë ndodhi edhe me disa kriza të tjera në Europë  në vitet 2007-2008 përkatësisht në Greqi, Spanjë dhe vende të tjera. Ndikimi i kësaj krize ishte në të gjithë kontinentin europian dhe më gjerë. Kjo do të thotë se nëse një vend përfshihet në një krizë të tillë ekonomike dhe financiare, efekti negative shtrihet edhe në vende të tjera.

Me sa duket kjo ka bërë që kryeministri kinez dhe politika kineze në përgjthësi të adresohet tek nevoja e një koordinimi dhe krijimit të besimit midis vendeve të ndryshme. Mendoj se mungesa e besimit midis vendeve në marrëdhëniet e tyre është arsyeja kryesore jo vetëm e krizave ekonomike, por edhe e krizave politike dhe konflikteve. Nëse do të kishim një mirëbesim midis palëve, atëhere çdo gjë do të zgjidhej brenda kuadrit të dialogut, të bisedimeve, brenda racionales.

Prof.dr Enver Bytyçi në intervistë për CMG

Prof.dr Enver Bytyçi në intervistë për CMG

Mendoj që politika kineze nga kjo pikëpamje është një politikë kontuitive, e qëndrueshme sa i përket vëmendjes dhe kujdesit për të krijuar  një mirëbesim. Nga të gjitha vëzhgimet që bëj besoj se presidenti kinez Xi Jinping, kryeministri dhe qeveria kineze  kanë një linjë balance dhe ekuilibri sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare. Për pasojë edhe në fushën e ekonomisë Kina synon që të ruhen dhe respektohen parime dhe vlera të cilat janë të domosdoshme për të patur një sukses ekonomik, tregtar dhe në fushën financiare.

Nëse fuqitë e mëdha si Kina, SHBA e shohin veten të inkuadruar me të gjithë sistemin ekonomik, politik, të sigurisë të pjesës tjetër të botës, mendoj se do të kishte më pak kriza, më pak dhimbje, më pak dështime dhe më shumë suksese dhe përfitime. Në këtë kuptim mendoj që politika e Pekinit është jo vetëm e ekuilibruar, por dhe e harmonizuar me interesat e të tjerëve. Nuk mund të ketë mirëbesim  nëse një superfuqi apo edhe një vend i vetëm, madje edhe një idivid, nëse shohin vetëm interesat e tyre. Është e domosdoshme të respektosh interesin, dinjitetin, vlerat e dikujt tjetër, e atij me të cilin je në një marrëdhënie tregtare, ekonomike, në investime etj, që të mund të kesh sukses dhe për vete. Këto parime shihen qartë në fjalimin që kryeministri Li ka mbajtur në Davos.

CMG: E pranishme në Forumin e Davosit ishte dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, me të cilën kreu i qeverisë kineze pati një takim.  Ky i fundit siguroi se thellimi i marrëdhënieve me BE-në mbete një përparësi diplomatike për Kinën. Ndërsa presidentja Ursula von der Leyen u shpreh se BE-ja vlerëson hapjen e vazhdueshme të Kinës dhe nuk ka ndërmend të shkëputet nga Kina. Gjykoni se marrëdhëniet Kinë-BE po bëhen më të qëndrueshme edhe falë Samitit Kinë-BE, të zhvilluar vitin e kaluar në Pekin?

Prof.dr. Enver Bytyçi: Para 3-4 vitesh zonja Merkel në fund të presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Europian realizoi një marrëveshje investimesh dhe të zhvillimit ekonomik midis BE-së dhe Kinës. Kjo ishte një marrëveshje shumë e rëndësishme, e cila në fakt ende nuk është ratifikuar me sa di unë nga Parlamenti Europian dhe as nga Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës. Por ky është një dokument bazë dhe shumë i rëndësishëm pr të thelluar marrëdhëniet midis dy palëve.

Kjo do të thotë se BE e ndjen të domosdoshme një marrëdhënie ekonomike të hapur me Kinën, por e njejta gjë është dhe për vetë Kinën. Deri sa këto dy komunitete të mëdha, këto dy superfuqi sidomos në fushën ekonomike kanë interesa të përbashkëta dhe kanë një marrëdhënie ndërvarësie, në kuptimin e mire të fjalës, midis tyre  marrëdhëniet ekonomike, investimet dhe ato financiare midis dy fuqive do të shkojnë sipas meje duke u përmirësuar. Takimi i kryeministrit kinez me presidenten e Komisionit Europian është shumë i rëndësishëm sepse e shtyn përpara këtë proces bashkëpunimi si dhe interesin e të dy palëve për të patur sa më shumë investime reciprokisht.

Takimi vjetor i Davosit (Foto CMG)

Takimi vjetor i Davosit (Foto CMG)

Europa është shumë e interesuar për Kinën sepse është një vend me konsum në rritje. Nuk është numri i popullsisë aq i rëndësishëm sa është fuqia konsumatore e një vendi dhe Kina po shndërrohet në një vend konsumator i fuqishëm dhe ndoshta do të tejkalojë SHBA-në dhe vetë BE-në në këtë drejtim.

Vendet që konsumojnë dhe rrisin kërkesat për nevojat e tyre, janë atraktive në zhvillimin e komunikimit dhe të marrëdhënieve ekonomike dhe financiare midis tyre. Europa e ka të domosdoshëm një treg të tillë. Kina nga ana e saj ka nevojë të shesë lëndët e para, produkte të ndryshme për industritë europiane dhe njëkohësisht të shkëmbejnë teknologjinë, gjë që është në të mire të zhvillimit të Europës dhe të Kinës.

Pikërisht këto nevoja dhe këto domosdoshmëri do të bëjnë që Europa e bashkuar dhe Kina ta thellojnë dhe më tej bashkëpunimin e tyre. Nga kjo përfiton edhe bota pasi garanton rritje ekonomike që krijon mundësi që edhe pjesa tjetër e botës, si Afrika dhe vendet e varfra të përfitojnë 

CMG: Këtë vit, tema e Forumit të Davosit është e ndarë në thelb në katër kategori: Arritja e sigurisë dhe bashkëpunimit në një botë të trazuar; Krijimi i rritjes dhe vendeve të punës për një epokë të re;  Inteligjenca artificiale si një forcë lëvizëse për ekonominë dhe shoqërinë Një strategji afatgjatë për klimën, natyrën dhe energjinë Arritja e sigurisë dhe bashkëpunimit në një botë të përçarë është potencialisht një nga pikat më të rëndësishme në axhendën e këtij viti, veçanërisht përballë konflikteve të vazhdueshme si Rusi-Ukrainë dhe Izrael- Palestinë.

Prof. dr. Enver Bytyçi: Në veprimtari të tilla politike, ekonomike, shkencore siç është Forumi Ekonomik Botëror i Davosit dhe në konferenca të tjera në përmasa botërore luajnë rol dy momente. Momenti i pare është krijimi i një atmosfere mirëbesimi midis të gjithë pjesëmarrësve. Sivjet kam vënë re se është shfaqur një klimë e tillë

CMG: Përderisa dhe vetë tema e forumit ishte “Rindërtimi i besimit”, tregon se duhet bërë diçka në këtë drejtim

Prof. dr. Enver Bytyçi: Së dyti, është krijimi i një perceptimi publik pozitiv. Nëse bota është në dy konflikte të mëdha ai i Lindjes së Mesme dhe Rusi-Ukrainë, atëhere mendimi, perceptimi ndeshet me një presion të madh të ekzistencës së rrezikut për sigurinë.

Forume të tilla shërbejnë për ta zbutur këtë lloj klime, për të krijuar një lloj atmosfere paqeje, besimi dhe optimizmi për të ardhmen. Është shumë e rëndësishme që njerëzimi të injektohet me optimizëm dhe me shpresë.

Janë dy resurse: resursi i drejtimit nga ana e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare dhe resursi i mobilizimit të njerëzve për të realizuar arritje pozitive.

Mendoj që siguria është elementi numër një, sepse pa siguri nuk mund të ketë bashkëpunim ekonomik dhe as rritje ekonomike, përkundrazi krizat do të vazhdojnë . Në këtë pike e shoh qëndrimin e Pekinit mjaft të dobishëm për shkak se Kina i përmbahet rigorozisht respektimit të ligjit ndërkombëtar, respektimit të institucioneve ndërkombëtare, respektimit të vullnetit të mire për të patur paqe, siguri dhe stabilitet në botë dhe për të garantuar dhe zhvillime të tjera si çeshtjet e klimës, të inteligjencës artificiale, ekonomisë, tregtisë dhe investimeve që sjellin një mirëqenie më të madhe për njerëzimin.

Intervistoi Eda Merepeza