Sulmet me raketa në disa vende të Lindjes së Mesme rrisin rrezikun për përshkallëzimin e konfliktit
2024-01-21 16:28:05

Sulmet me raketa në Siri, Liban, Irak dhe Jemen të shtunën kthyen vëmendjen tek rreziku në rritje i përhapjes së konfliktit Hamas-Izrael në Rripin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale mes Iranit dhe Izraelit, që rrit gjasat për përfshirje edhe të Shteteve të Bashkuara.

Foto:VCG

Foto:VCG

Irani tha se pesë anëtarë të Gardës së tij Revolucionare u vranë në një sulm me raketa në një ndërtesë në Damask, për të cilin e fajësoi Izraelin dhe burime të sigurisë në Liban thanë se një sulm izraelit atje shkaktoi vrasjen e një anëtari të Hezbollahut.

Më vonë të shtunën, një zyrtar amerikan tha se nga një sulm me raketë u plagos një anëtar i personelit ushtarak në një bazë amerikane në Irak, një vend në të cilin grupet e mbështetura nga Irani më parë kanë luftuar kundër forcave amerikane.

Bombardimet intensive të Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, të cilat kanë shkaktuar vrasjen e të paktën 25 mijë palestinezëve, shkaktuan shumë shpejt fillimin e përleshjeve ndërkufitare mes Izraelit dhe Hezbullahut.

Foto:VCG

Foto:VCG

Gjatë tre muajve të fundit Izraeli vazhdimisht ka vënë në shënjestër objektiva iraniane në Siri, ndërsa grupet e mbështetura nga Irani në Siri dhe Irak kanë hapur zjarr ndaj forcave amerikane në ato vende.

Përveç Rripit të Gazës, skenë e luftimeve me pasoja më të gjera ndërkombëtare ka qenë edhe Deti i Kuq, ku rebelët e grupit Houthi, që Shtetet e Bashkuara këtë javë e rikthyen në listën e organizatave terroriste, kanë sulmuar me raketa anijet e transportit të mallrave. 

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë sulmuar objektiva të rebelëve Houthi në Jemen javën e fundit.