Lufta Izrael-Hamas, Parlamenti Evropian bën thirrje për armëpushim të përhershëm
2024-01-20 11:53:20

Parlamenti Europian (Foto Rtsh)

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që bën thirrje për armëpushim të përhershëm në Gaza. Arritja e një konsensusi mbi rezolutën nuk ishte e lehtë, pasi prej disa javësh vendet nuk kanë patur dakordësi mbi formulimin specifik të dokumentit, shkruan “RTSH”.

Eurodeputetët bëjnë thirrje për të rifilluar përpjekjet drejt një zgjidhjeje politike me kusht që të gjithë pengjet të lirohen menjëherë dhe pa kushte dhe të shpërbëhet organizata terroriste Hamas.

Eurodeputetët përsërisin të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por dënojnë reagimin e tij joproporcional ushtarak në Gaza. Duke shprehur shqetësim të thellë për situatën e rëndë dhe të përkeqësuar humanitare në Rripin e Gazës, eurodeputetët nënvizojnë nevojën urgjente për akses të plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitar në të gjithë Rripin e Gazës. 
Rezoluta thekson domosdoshmërinë e rifillimit të menjëhershëm të procesit të paqes mes Izraelit dhe Hamasit.

Së fundi, dokumenti nënvizoi mbështetjen e fortë të Bashkimit Evropian për punën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa bën thirrje që përgjegjësit për aktet terroriste dhe për shkeljet e ligjit ndërkombëtar të vihen përpara përgjegjësisë.

“Marrja e pengjeve dhe sulmet e qëllimshme ndaj civilëve janë shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar”, paralajmëruan eurodeputetët. (Irma)