Shefi i OKB-së kërkon armëpushim në Gaza, veprime për klimën dhe inteligjencën artificiale
2024-01-19 10:44:31

Foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, përsëriti thirrjet e tij për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza dhe theksoi rëndësinë e zgjidhjes me dy shtete për çështjen Palestinë-Izrael, shkruan “Xinhua”. Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Guterres tha se bota po bën sehir, ndërsa civilët, kryesisht gra dhe fëmijë, vriten, gjymtohen, bombardohen, detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe u mohohet aksesi në ndihma humanitare.

“Unë përsëris thirrjen time për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza dhe një proces që çon në paqe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët, bazuar në një zgjidhje me dy shtete. Kjo është mënyra e vetme për të frenuar vuajtjet dhe për të parandaluar një përhapje që mund të ndezë të gjithë rajonin”,- tha ai.

Shefi i OKB-së u bëri gjithashtu thirrje udhëheqësve globalë që të trajtojnë kërcënimet ekzistenciale që vijnë nga ndryshimi i klimës dhe zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale.

Duke vënë në dukje se 2023-shi ishte viti më i nxehtë në histori me thatësira, përmbytje dhe fatkeqësi të tjera natyrore që godasin vendet dhe komunitetet, Guterres tha se heqja e karburanteve fosile është thelbësore dhe e pashmangshme dhe se duhet vepruar tani për të siguruar një të drejtë të barabartë kalimi në energjinë e rinovueshme.

Duke dhënë alarmin për rreziqet e paraqitura nga inteligjenca artificiale për të drejtat e njeriut, privatësinë personale dhe shoqëritë, Guterres u kërkoi qeverive të punojnë me kompanitë e teknologjisë për menaxhimin e rrezikut të zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe i bëri thirrje sektorit privat që t'i bashkohet një përpjekjeje të shumë palëve për të zhvilluar një rrjet model qeverisjeje të përshtatshme për inteligjencën artificiale.

Ai gjithashtu bëri thirrje për përpjekje sistematike për të rritur aksesin tek inteligjenca artificiale dhe për të kapërcyer ndarjen digjitale në mënyrë që vendet në zhvillim të mund të përfitojnë nga potenciali i madh i teknologjisë. (Irma)