BE-ja vendos rregulla më të ashpra kundër pastrimit të parave
2024-01-19 16:02:53

Foto nga VCG

Negociatorët nga Parlamenti Evropian dhe 27 vendet anëtare të BE-së ranë dakord për rregulla më të ashpra për të luftuar pastrimin e parave në vendet e Bashkimit Evropian.

“Marrëveshjet e kësaj jave janë një moment historik i rëndësishëm në luftën kundër parave të pista në BE”,- deklaroi komisioneri i Shërbimeve Financiare të BE-së, Mairead McGuiness, në një deklaratë për mediet, në Strasburg, shkruan “ATSH”.

Hetuesit financiarë do të kenë kompetenca të shtuara të inspektimit në rastet e dyshuara për pastrim parash dhe financimit të terrorizmit, si dhe një hapësirë më të gjerë për të pezulluar transaksionet dhe llogaritë e dyshimta.

Pagesat e mëdha në para duhet t’i nënshtrohen një kufiri në mbarë BE-në prej 10.000 euro (10 900 dollarë). Vendet individuale të BE-së mund të vendosin një kufi më të ulët.

Rregulloret e ashpra harmonizojnë gjithashtu përgjegjësitë e bankave dhe institucioneve të tjera financiare për të përmbushur detyrimet kundër pastrimit të parave dhe përfshijnë sanksione më të rrepta. Rregullat do të zbatohen gjithashtu për ofruesit e kriptomonedhave dhe tregtarët e mallrave luksoze.

Parlamenti Evropian dhe 27 shtete anëtare të BE-së duhet të miratojnë zyrtarisht rregulloret e reja.

Sipas legjislaturës së BE-së, rregullat e reja do të zbatohen tre vjet pas hyrjes në fuqi. (Irma)