Raporti i UNICEF-it paralajmëron për rritjen e rreziqeve për fëmijët mes sfidave globale
2024-01-18 10:46:39

Foto nga VCG

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) bëri të ditur se viti 2024 do të jetë sfidues për fëmijët në mbarë botën. Në studimin e tij të përvitshëm, “Perspektivat për fëmijët 2024: Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”, parashikohet rritja e ekspozimit të fëmijëve ndaj dhunës, luftës dhe vështirësive ekonomike, të formësuara nga konfliktet e vazhdueshme globale dhe pasiguritë ekonomike, citon “Xinhua”.

Raporti identifikon përshkallëzimin e tensioneve globale si një kërcënim kryesor për të drejtat dhe jetët e fëmijëve. 

Rritja e ngadaltë ekonomike po ndikon negativisht në përpjekjet për uljen e varfërisë së fëmijëve, duke kufizuar aksesin e të rinjve në tregjet globale të punës. Raporti sugjeron se solidariteti ekonomik, bashkëpunimi në treg dhe investimi në aftësitë e ardhshme janë thelbësore për të mbrojtur fëmijët, veçanërisht pasi tregtia ndërkombëtare përballet me sfida si mosbesimi dhe proteksionizmi.

UNICEF-i shpreh shqetësimin për paaftësinë e sistemit të fragmentuar shumëpalësh për të adresuar çështjet kyçe të lidhura me fëmijët, gjë që pengon përpjekjet për të trajtuar shkeljet e të drejtave të fëmijëve dhe krizën klimatike.

Raporti thekson gjithashtu pabarazitë strukturore fiskale në ekonomitë në zhvillim, duke kufizuar aftësinë e këtyre vendeve për të investuar te fëmijët.

Kalimi në energjinë e gjelbër, ndonëse i dobishëm, paraqet rreziqe për fëmijët në fusha si praktikat e punës. Për më tepër, sfidat mjedisore si “El Nino”, sëmundjet e shkaktuara nga mushkonjat dhe mungesa e ujit kërcënojnë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve. (Elona)