OKB-ja kërkon të mbledhë 4.2 miliardë dollarë për Ukrainën këtë vit
2024-01-17 10:33:34

Iryna Vereshchuk (Foto nga VCG)

Kombet e Bashkuara po kërkojnë të mbledhin 4.2 miliardë dollarë amerikanë këtë vit për komunitetet dhe refugjatët e konfliktit të Ukrainës, sipas autoriteteve ukrainase.

Në veçanti, Kombet e Bashkuara planifikojnë të tërheqin 3.1 miliardë dollarë nga donatorët për të ofruar ndihmë humanitare për 8.5 milionë njerëz në Ukrainë, citon “Xinhua”.

Organizata botërore synon gjithashtu të mbledhë 1.1 miliardë dollarë për të mbështetur rreth 2.3 milionë refugjatë ukrainas, të cilët u detyruan të largohen nga vendi për shkak të konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë, thuhet në deklaratë.

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha se Ukraina ka shpresa të mëdha në planin humanitar të OKB-së për të ndihmuar ukrainasit e prekur nga konflikti.

“Ne duhet të vazhdojmë të mbështesim njerëzit tanë të zhvendosur brenda vendit dhe ata jashtë vendit”,- tha Vereshchuk.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 6.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga shkurti i vitit 2022.

Rreth 4.9 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit, sipas autoriteteve ukrainase. (Elona)