Turqia, Rumania dhe Bullgaria nënshkruajnë marrëveshjen për pastrimin e minave në Detin e Zi
2024-01-12 17:33:02

Marreveshja per minat (Foto Msn)

Turqia, Rumania dhe Bullgaria nënshkruan të enjten një memorandum mirëkuptimi mbi një plan të përbashkët për të trajtuar kërcënimin e minave lundruese në Detin e Zi, raporton “Xinhua”.

Marrëveshja u nënshkrua në Stamboll nga ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler, homologu i tij rumun Angel Tilvar dhe zëvendësministri bullgar i Mbrojtjes, Atanas Zapryanov.

Në ceremoninë e nënshkrimit, Guler tha se në bazë të marrëveshjes, Marinat e të tria vendeve do të formojë një grup pune kundër minave për të pastruar eksplozivët që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin në Detin e Zi.

Lidhur me kërcënimin e minave si pasojë e krizës Ukrainë-Rusi që shpërtheu në shkurt 2022, ai theksoi përpjekjet e përbashkëta të delegacioneve të tri vendeve, të cilat filluan në shtator 2023, për të trajtuar me shpejtësi këtë çështje.

“Mbrojtja e anijeve në zonën detare nga rreziqet e sigurisë të shkaktuara nga konflikti është bërë një çështje shqetësimi i përbashkët për aleatët bregdetarë”,- tha ministri turk.

Sipas marrëveshjes, të tria vendet do të vendosin tre gjuetarë minash dhe një anije komandimi dhe kontrolli për detyrë të vazhdueshme në Detin e Zi.

Një komitet i përbërë nga komandantë detarë nga tre aleatët do të mbikëqyrë operacionin.

Nisma është e kufizuar tani për tani në anijet e tre aleatëve, tha Guler, por vuri në dukje se kontributet nga shtetet e tjera bregdetare të Detit të Zi do të pranohen në zonat e dakorduara dhe specifike kur ta lejojnë kushtet. (Irma)