FEB: Rrezik maksimal dezinformimi në prag zgjedhjesh të mëdha
2024-01-11 15:15:16

Lajme të rreme (Foto ATSH)

Përgjatë dy viteve të ardhshme, rreth tre miliardë njerëz do të shkojnë në votime dhe në mes të bumit të inteligjencës artificiale, dezinformimi është ndër rreziqet më të mëdha për njerëzimin, vlerëson Forumi Ekonomik Botëror.

“Përdorimi i gjerë i dezinformimit dhe mjetet për shpërndarjen e tyre mund të minojnë legjitimitetin e qeverive të sapozgjedhura”, sipas “Global Risks Report” të botuar të mërkurën, citon “ATSH”.

“Trazirat që rezultojnë mund të variojnë nga demonstratat e dhunshme dhe krimet e urrejtjes deri te përleshjet civile dhe terrorizmi”,- thuhet në dokumentin e publikuar disa ditë përpara Forumit Ekonomik Botëror, i cili mbahet në Davos, Zvicër, nga 15 deri më 19 janar.

Në terma afatgjatë, kushtet ekstreme të motit dhe ndryshimet kritike në sistemet mjedisore të tokës bëhen shqetësimi më i madh në nivel global.

Raporti, i realizuar në partneritet me siguruesin zviceran “Zurich Insurance” dhe “Marsh McLennan”, bazohet në pikëpamjet e më shumë se 1400 ekspertëve globalë të rrezikut, politikëbërësve dhe udhëheqësve të biznesit të anketuar në shtator 2023. (Elona)