Kina kërkon garantimin e lundrimit të sigurt në Detin e Kuq
2024-01-11 18:41:24

Përfaqësuesi i përhershëm kinez në OKB, Zhang Jun, theksoi të mërkurën se vendet e ndryshme nuk duhet t'i keqinterpretojnë dhe të abuzojnë me dispozitat përkatëse të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të krijuar tensione të reja në ujërat e Detit të Kuq.

Foto:VCG

Përfaqësuesi i përhershëm kinez në OKB, Zhang Jun(Foto:VCG)

Zhang i tha këto duke bërë një deklaratë shpjeguese pas abstenimit në votimin mbi një rezolutë të Këshillit për sulmet e fundit të militantëve Houthi në Detin e Kuq.

Këshilli i Sigurimit miratoi të mërkurën Rezolutën 2722 që dënon sulmet nga militantët Houthi ndaj anijeve tregtare dhe komerciale në Detin e Kuq. Rezoluta u miratua me 11 vota pro, asnjë votë kundër dhe katër abstenime, përkatësisht nga Algjeria, Kina, Mozambiku dhe Rusia.

Zhang tha se garantimi i hyrjes së papenguar në këtë rrugë ujore dhe i sigurisë së anijeve kontribuon jo vetëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit, por edhe lidhur me sigurinë globale të zinxhirit të furnizimit dhe ruajtjen e rendit të tregtisë ndërkombëtare.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina mban një qëndrim të hapur që Këshilli i Sigurimit të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të mbrojtur të drejtën e anijeve tregtare të vendeve të ndryshme që të lundrojnë në ujërat e Detit të Kuq sipas ligjit ndërkombëtar, tha ai.

Përfaqësuesi shtoi se Kina ka marrë pjesë në mënyrë konstruktive në konsultime dhe, së bashku me Rusinë, Algjerinë dhe palë të tjera, ka propozuar amendamente për çështjet përkatëse.

Duke i njohur përpjekjet e vendeve nismëtare për përmirësimin e projektrezolutës së bazuar mbi mendimet e paraqitura nga anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit, z. Zhang vuri në dukje se megjithatë disa rishikime nuk ishin përfshirë.

Si rezultat, teksti mbetet i paqartë për disa çështje kyçe, tha i dërguari kinez, duke shprehur shqetësimin se rezoluta mund të mos arrijë efektin e synuar ose mund të çojë në pasoja negative, duke përshkallëzuar më tej tensionet rajonale.

Foto:VCG

Foto:VCG

Zhang u bëri thirrje militantëve Houthi që t'i binden rezolutës dhe palëve përkatëse të luajnë një rol konstruktiv për të zbutur tensionet në Detin e Kuq.

Ai gjithashtu përmendi lidhjen midis situatës në Detin e Kuq dhe konfliktit në Gazë, duke thënë se tensionet aktuale në Detin e Kuq janë një nga efektet negative të përhapura nga konflikti në Gazë.

Kina e ka theksuar në mënyrë të përsëritur se një armëpushim i menjëhershëm në Gazë është një çështje urgjente, një parakusht kyç dhe një përparësi kryesore për përpjekjet diplomatike ndërkombëtare, tha i dërguari kinez në OKB. (Zhang Yan/Artan)