Kryediplomati amerikan: Numri i civilëve të vrarë në Gaza, shumë më i lartë se ai i raportuar
2024-01-11 11:01:29

Foto RTSH

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi në një konferencë shtypi në Tel Aviv se numri i civilëve të vdekur në Gaza, veçanërisht i fëmijëve, është shumë i lartë sesa ai i raportuar deri më tani.

Sipas Blinken, banorët e Gazës duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre, por duke ripohuar gjithashtu edhe mbështetjen e SHBA-së për Izraelin, bën të ditur “RTSH”.

“90% e popullsisë së Gazës vazhdon të përballet me pasiguri akute ushqimore, sipas OKB-së, dhe kjo ka pasoja të përjetshme për fëmijët. Ndihma më thelbësore duhet të lejohet në Gaza dhe duhet të ketë shpërndarje më efektive. Izraeli duhet të bëjë gjithçka që mundet për të hequr pengesat dhe për ta lehtësuar këtë. Qytetarët e Gazës duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata nuk duhet të dëbohen me forcë nga Gaza”,- tha Blinken.

Më parë ai u takua edhe me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, me të cilin diskutoi mbi përpjekjet për të siguruar lirimin e të gjitha pengjeve që mbahen nga Gaza.

Izraeli filloi ofensivën e tij në Gaza pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më shumë se tre muaj më parë, ku u vranë 1200 njerëz.

Që nga 7 tetori, më shumë se 23.200 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi atje. (Elona)