Gjermani - Më shumë se 320 000 aplikime për azil në vitin 2023
2024-01-10 16:31:47

Foto ATSH

Më shumë persona aplikuan për azil në Gjermani vitin e kaluar sesa në çdo vit tjetër që nga viti 2016-a, sipas statistikave vjetore të publikuara nga Zyra Federale për Emigracionin dhe Refugjatët (BAMF).

Rreth 329.000 persona aplikuan për azil në Gjermani për herë të parë nga fillimi i janarit deri në fund të dhjetorit, rreth 50% më shumë se vitin paraardhës, bën të ditur “ATSH”.

Pothuajse 23.000 nga këto aplikime për herë të parë ishin për fëmijët nën moshën një vjeç të lindur në Gjermani.

Shumica e njerëzve që kërkuan azil vitin e kaluar ishin nga Siria, Turqia dhe Afganistani.

Përafërsisht një milion refugjatëve nga Ukraina, që gjetën strehim në Gjermani që nga shkurti i vitit 2022, nuk iu desh të aplikonin për azil, por morën mbrojtje të përkohshme të menjëhershme në bazë të një direktive të BE-së. Në vitin 2016, numri i kërkesave për azil kishte arritur kulmin me 722.370 kërkesa. (Elona)