Kryediplomati amerikan: SHBA-ja kundërshton zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës
2024-01-09 11:24:25

Foto Rtsh

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se në takimet me zyrtarët izraelitë këtë javë, ai do të kërkojë që të bëhet më shumë në shmangien e viktimave në mesin e civilëve në Rripin e Gazës, njofton “RTSH”.

Duke folur në një konferencë shtypi në Doha, pas takimit me emirin e Katarit, sheikun Tamim Bin Hamad Al Thani, Blinken tha se civilët palestinezë duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ndaj tyre nuk duhet ushtruar trysni për t’u larguar nga Rripi i Gazës.

Në konferencën e përbashkët për shtypin, emiri i Katarit tha se vrasja e një udhëheqësi të lartë të Hamasit në një sulm të Izraelit me dron në Bejrut ka ndikuar në aftësinë e vendit të tij për të ndërmjetësuar në bisedimet mes negociatorëve izraelitë dhe atyre palestinezë. Megjithatë, ai tha se Katari do të vazhdojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për konfliktin Hamas-Izrael. (Fatosi)