Kryediplomati evropian kërkon shmangien e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme
2024-01-08 11:12:30

Foto nga VCG

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, gjatë një vizite në Liban, bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, shkaktuar nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

“Ramë dakord të punojmë së bashku përmes diplomacisë drejt uljes së tensionit dhe stabilitetit afatgjatë, të cilat janë në interes të të gjithëve”,- shkroi Borrell në platformën “X”, duke iu referuar takimit të tij me kryeministrin në detyrë të Libanit, Najib Mikati.

Në një postim tjetër, Borrell bëri thirrje gjithashtu për një zgjidhje politike për t’i dhënë fund luftës së Gazës.

“Libani nuk duhet të përfshihet në një konflikt rajonal me Izraelin”,- tha kryediplomati evropian, sipas agjencisë shtetërore “NNA”.

Mikati tha se një sulm i madh në Libanin jugor do të bënte që konflikti të shpërthente plotësisht në rajon.

Që nga fillimi i luftës së Gazës pas masakrës nga terroristët e lëvizjes islamike palestineze Hamas dhe ekstremistëve të tjerë në Izrael më 7 tetor, ka pasur pothuajse çdo ditë konfrontime midis ushtrisë izraelite dhe milicisë libaneze Hezbollah në rajonin kufitar.

Ky është përshkallëzimi më i madh që nga lufta e dytë e Libanit në vitin 2006. (Irma)