Ministri i Jashtëm italian kërkon formimin e ushtrisë së BE-së
2024-01-08 12:52:08

Foto nga VCG

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, propozoi që Bashkimi Evropian të formojë ushtrinë e tij të përbashkët, që mund të luajë një rol paqeruajtës dhe për të parandaluar konflikte.

Në një intervistë për gazetën italiane, “La Stampa”, përcjellë nga “Panorama”, Tajani tha se bashkëpunimi më i ngushtë evropian në fushën e mbrojtjes është prioritet i partisë Forza Italia, që ai udhëheq.

“Nëse duam të jemi paqeruajtës në botë na duhet një ushtri evropiane. Ky është një parakusht thelbësor që të jemi në gjendje të kemi një politikë efektive të jashtme evropiane”, tha kryediplomati italian.

Çështja e bashkëpunimit evropian në fushën e mbrojtjes është ngritur në agjendën politike që nga nisja e konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.

Megjithatë, përpjekjet janë përqendruar më shumë në zgjerimin e NATO-s, me Finlandën që iu bashkua aleancës vitin e kaluar dhe me Suedinë që po ashtu është në rrugë që t’i bashkohet NATO-s.

Tajani po ashtu tha se 27 shtetet e BE-së duhet të përmirësojnë udhëheqjen e tyre dhe të krijojnë një presidencë të vetme, e jo sikurse struktura aktuale, ku Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian kanë presidentë më vete. (Irma)