Gjykata e Hagës mblidhet këtë muaj rreth akuzave për gjenocid në Gaza
2024-01-05 11:24:58

Sulmet ne Gaza (Foto Rtsh)

Sulmet ne Gaza (Foto Rtsh)

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të mbajë më 11 dhe 12 janar seanca dëgjimore publike për procedurat e nisura nga Afrika e Jugut kundër Izraelit për luftën në Gaza.

Kërkesa e Afrikës së Jugut, e paraqitur në Hagë, parashtron se veprimet dhe mosveprimet e Izraelit kanë karakter gjenocidi, sepse ato synojnë të sjellin shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të grupit kombëtar, racor dhe etnik palestinez, shkruan “RTSH”.

Gjykata zakonisht merr deri në dy javë për të nxjerrë një vendim për masat emergjente pas seancave.

Vendimet janë përfundimtare, por ajo nuk ka autoritet t'i zbatojë ato.

GJND-ja zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve dhe jep opinione këshillimore për çështjet juridike ndërkombëtare.

Ky institucion është i ndryshëm nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila heton dhe gjykon individë të akuzuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. (Irma)